Koha e Zakonshme

Njoftime

Urimi i Presidentit të KISH për Administratorin e ri

2 minuta lexim

Foto: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (kish.al)

Në ditën e emërimit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, i shkroi Atë Flavio Cavallinit për ta uruar dhe për t’i dhënë mirëseardhjen në Konferencë.

Sot Papa Leoni XIV ka emëruar Atë Flavio Cavallinin OFM si Administrator të Administraturës Apostolike të Shqipërisë së jugut. Me këtë rast Presidenti i KISH-it ka përshëndetur dhe uruar Atë Flavio Cavallinin për emërimin e tij. Të gjithë e njohim Atë Flavion dhe angazhimin e tij në Shqipëri qysh prej fillimit të rihapjes së Kishave pas regjimit komunist.

Në letrën e tij Imzot Meta shkruan:

Rrëshen, 25 prill 2026

Shumë i dashur Atë Flavio,

Me shumë gëzim, morëm lajmin e emërimit tënd si Administrator Apostolik i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut. Ati i Shenjtë ka zgjedhur si udhëheqës të një realiteti misionar shumë të shtrirë gjeografikisht dhe mjaft kompleks një misionar që ka ardhur në Shqipëri qysh në fillimet e hapjes së kishave, pas periudhës së egër të regjimit komunist.

Ti ke shërbyer si Provincial i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” e më pas edhe si famullitar në disa vende të Shqipërisë. Kontributi yt i vyer në fushën e mësimdhënies së Shkrimit të Shenjtë në Seminarin Ndërdioqezan “Nana e Këshillit të Mirë”, në Shkodër, ku janë formuar breza të tërë priftërinjsh, është i njohur për të gjithë ne. Po ashtu është e njohur edhe puna ungjillëzuese që ke bërë në të gjitha misionet ku ke qenë, me shumë kreativitet e pasion.

Si President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, të uroj mirëseardhjen në këtë Konferencë! Shpresoj shumë që së bashku me ipeshkvijtë e tjerë do të punojmë për Mbretërinë e Hyjit dhe Ungjillin në Shqipërinë tonë.

Falënderojmë Zotin dhe Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, që ka menduar për ty si Bari i Administraturës Apostolike të Jugut!

Nana e Këshillit të Mirë, Pajtorja jonë dhe Shën Marku ungjilltar të qofshin gjithmonë krah në punën tënde! Të shoqërojmë me lutjen dhe afërsinë tonë.

Vllazërisht në Krishtin,

+ Gjergj Meta

Ipeshkëv i Rrëshenit
President i KISH-it

Burimi: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (kish.al).

Lajme të tjera

Të gjitha lajmet

Jeta e famullive

Fara e Ungjillit, një farë shprese

Dom Gaitano Lleshaj për shërbimin baritor në burgun e Peqinit, bashkë me motrat rregulltare dhe një grup laikësh: Mesha, Rrëfimi, Rruzarja dhe…