Shërbimi im baritor në burgun e Peqinit zhvillohet në bashkëpunim me motrat rregulltare dhe një grup laikësh, me qëllimin për t’u qëndruar pranë personave të privuar nga liria, duke u ofruar atyre mbështetje shpirtërore, njerëzore dhe vëllazërore.
Gjatë vizitave tona bashkëpunojmë me Drejtorinë dhe personat përgjegjës të institucionit, duke respektuar rregullat dhe organizimin e burgut. Në disa raste zhvillojmë edhe takime me Drejtorin e institucionit për të diskutuar nevojat dhe mënyrat e përmirësimit të shërbimit pastoral.
Një pjesë shumë e rëndësishme e vizitave është takimi dhe dialogu me të burgosurit. Flasim lirshëm me ta, dëgjojmë historitë, shqetësimet, vështirësitë familjare dhe shpresat e tyre për të ardhmen. Përpiqemi të krijojmë një atmosferë ku çdo person të ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i pranuar.
Në qendër të vizitës është kremtimi i Meshës së Shenjtë. Gjatë predikimit përpiqem të përdor shembuj të thjeshtë dhe konkretë nga jeta e përditshme, duke folur për faljen, pajtimin, rrëfimin, dashurinë ndaj njëri-tjetrit, përgjegjësinë dhe mëshirën e Zotit. Mesazhi kryesor është se asnjë njeri nuk duhet ta humbasë shpresën dhe se, edhe pas gabimeve, ekziston gjithmonë mundësia për të filluar një jetë të re.
Kur është e mundur, ofrohet edhe sakramenti i Rrëfimit, duke i ndihmuar personat të pajtohen me Zotin dhe me veten e tyre. Gjithashtu lutemi së bashku Rruzaren e Shenjtë, duke ia besuar Marisë të burgosurit, familjet e tyre dhe të gjithë ata që vuajnë.



Një rëndësi të veçantë kanë edhe kremtimet gjatë vitit liturgjik. Në Krishtlindje, Pashkë, dhe në festa të ndryshme të Shenjtërve, kemi kremtuar Meshën e Shenjtë në burg, duke u munduar që edhe personat e privuar nga liria të ndihen pjesë e jetës së Kishës.
Pas Meshës, kur kushtet e institucionit e lejojnë, ndajmë së bashku diçka për të ngrënë. Ky është një moment i thjeshtë, por shumë i rëndësishëm njerëzor: ulemi së bashku, bisedojmë, qeshim dhe kalojmë pak kohë në një atmosferë familjare. Ndonjëherë shoqërohemi edhe me muzikë dhe aktivitete të tjera të thjeshta, të cilat krijojnë momente gëzimi dhe normaliteti.
Në këtë shërbim, motrat rregulltare dhe laikët kanë një rol të rëndësishëm. Prania e tyre tregon se Kisha nuk është vetëm prifti, por një bashkësi e tërë që dëshiron të jetë pranë atyre që vuajnë.
Për ne, baritorja në burgje nuk është vetëm një shërbim liturgjik. Është një prani njerëzore, shpirtërore dhe vëllazërore. Ne nuk duam të gjykojmë personin, por ta shoqërojmë; nuk duam ta mohojmë gabimin, por ta ndihmojmë të përballet me të dhe të gjejë forcën për të ndryshuar.
Çdo vizitë përpiqet të sjellë një mesazh të thjeshtë: njeriu nuk është vetëm gabimi që ka bërë, nuk është vetëm dënimi i tij dhe nuk është vetëm e kaluara e tij. Ai mbetet një person me dinjitet, i krijuar nga Zoti dhe i thirrur për të shpresuar e për të filluar përsëri.
Prandaj dëshirojmë që ky shërbim të vazhdojë dhe të forcohet, në bashkëpunim me institucionet dhe me të gjithë personat që punojnë në fushën e pastoraleve të burgjeve.
Prania jonë dëshiron të jetë një prani që sjell dritë aty ku ka vuajtje, shpresë aty ku ka dëshpërim, falje aty ku ka faj dhe dashuri aty ku njeriu ndihet i harruar.
Dom Gaitano Lleshaj
Burimi: Dom Gaitano Lleshaj (Facebook).


