Administratura Apostolike
Historia
Themelimi i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut në vitin 1939 dhe Administratorët e saj deri sot.
Themelimi
Administratura Apostolike e Shqipërisë së Jugut u themelua nga Papa Piu XII me Kushtetutën Apostolike Dyrrachiensis (Albaniae Australis), të dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 11 nëntor 1939, në vitin e parë të papnisë së tij.
Me letrën apostolike Sancta Dei Ecclesia të 25 marsit 1938, Papa Piu XI e kishte vënë pjesën jugore të Shqipërisë, që deri atëherë i përkiste Arqidioqezës së Durrësit, nën juridiksionin e Kongregatës së Shenjtë për Kishën Orientale. Meqë numri i besimtarëve, si të ritit latin ashtu edhe të ritit bizantin, po rritej dhe Arqipeshkvi i Durrësit mezi mund të kujdesej për ta, Delegati Apostolik në Shqipëri, Imzot Leone Giovanni Battista Nigris, Arqipeshkëv titullar i Filipit, i kërkoi Papës që kjo pjesë të ndahej nga Arqidioqeza e Durrësit dhe prej saj të krijohej një Administraturë Apostolike e re.
Pasi dëgjoi kardinalët e Kongregatës për Kishën Orientale dhe Arqipeshkvin e Durrësit, Papa ndau nga Arqidioqeza e Durrësit territorin e Shqipërisë së Jugut brenda kufijve të prefekturave të Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës, dhe themeloi Administraturën Apostolike me emrin Albaniae Australis, nën juridiksionin e Kongregatës për Kishën Orientale. Administratorit Apostolik i dha juridiksion të plotë mbi të gjitha famullitë dhe misionet, të ngritura e që do të ngriheshin, dhe mbi të gjithë besimtarët e të dy riteve, latin dhe bizantin, brenda kufijve të saj.
Kushtetuta u nënshkrua nga kardinali Tommaso Pio Boggiani, OP, Kancelar i Kishës së Shenjtë Romake, dhe nga kardinali Eugène Tisserant, sekretar i Kongregatës për Kishën Orientale, dhe u botua në Acta Apostolicae Sedis.


Administratorët Apostolikë
- 1940–1945 Imzot Leone Giovanni Battista Nigris † Dha dorëheqjen në vitin 1945.
- 1946–1949 I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi, OFM † Vdiq më 19 mars 1949.
- 1949–1992 Selia vakante.
- 1992–1996 Imzot Ivan Dias † Më 8 nëntor 1996 u emërua Arqipeshkëv i Bombeit.
- 1996–2017 Imzot Hil Kabashi, OFM Nga 3 dhjetori 1996; u tërhoq nga shërbesa më 15 qershor 2017.
- 2017–2024 Imzot Giovanni Peragine, B. Nga 15 qershori 2017; më 20 maj 2024 u emërua Arqipeshkëv koadjutor i Shkodër-Pultit.
- 2026 Atë Flavio Cavallini, OFM Që nga 25 prilli 2026.