Sot, ndërsa mbush një vit nga dita kur u shugurova meshtar pra 25 tetor 2025, zemra ime është e mbushur me një ndjenjë që është më e madhe se çdo fjalë: mirënjohje.
Një vit më parë, përpara Zotit, Kishës dhe njerëzve që ishin mbledhur për të marrë pjesë në këtë gëzim, dhashë “po”-në time ndaj Krishtit. Nuk e dija atëherë se sa shumë do të më mësonte ky vit. Nuk e dija se sa fytyra do të mbeteshin në zemrën time, sa histori do të dëgjoja, sa lot do të shihja, sa buzëqeshje do të merrja, sa dyer do të trokisja dhe sa herë do të kuptoja se, në të vërtetë, nuk isha unë ai që po i shërbeja Zotit, por ishte Zoti që po më mësonte të shërbeja.
Sot, pas një viti, nuk dua të them: “Shikoni se çfarë kam bërë.” Dua të them: “Shikoni se çfarë ka bërë Zoti.” Sepse gjithçka është hir, meshtaria, thirrja, njerëzit që Zoti më ka besuar janë hir. Çdo Meshë, çdo pagëzim, çdo rrëfim, çdo vizitë, çdo bisedë, çdo lot dhe çdo buzëqeshje është bërë pjesë e kësaj dhurate të madhe që quhet meshtari.
Thirrja: një “po” që përsëritet çdo ditë
Shpesh mendojmë se thirrja meshtarake është vetëm dita kur një i ri vendos të hyjë në seminar ose dita kur merr Shugurimin. Por sot e kuptoj se thirrja nuk është vetëm një moment. Thirrja është një “po” që duhet përsëritur çdo ditë. Në ditën e shugurimit thua “po” përpara Zotit. Por më pas vijnë ditët e zakonshme, ditët e lodhjes, ditët kur nuk ke shumë fuqi, ditët kur duhet të dëgjosh dikë që vuan, ditët kur duhet të udhëtosh, të trokisësh në një derë, të shkosh te një i sëmurë, te një familje në vështirësi apo te dikush që ndoshta nuk ka askënd tjetër. Atëherë pyetja bëhet përsëri: “A dëshiron të shërbesh?” Dhe meshtari duhet të përgjigjet përsëri: “Po, o Zot.” Jo sepse ndihet gjithmonë i fortë, por sepse e di se forca nuk vjen prej tij. Vjen prej Krishtit.
Unë nuk jam bërë meshtar sepse jam më i mirë se të tjerët. Jam bërë meshtar sepse Krishti më ka dashur, më ka thirrur dhe më ka besuar një mision. Dhe kjo është një përgjegjësi që më bën çdo ditë të përkulem me përvujtëri përpara Tij. Ky vit i parë si meshtar më ka çuar në vende dhe tek njerëz që ndoshta nuk do t’i kisha njohur kurrë nëse nuk do të më kishte thirrur Krishti. Kam përvojën time të parë meshtarake si kujdestar në bashkësitë e krishtera të Gramsh, Mollas dhe Gostimë. Aty nuk gjej vetëm një vend ku duhej të kryej një shërbim. Gjej njerëz, familje, të moshuar, histori jete, gëzime e dhimbje dhe mbi të gjitha, gjej Krishtin. Sepse sa më shumë ecën mes njerëzve, aq më shumë kupton se Krishti nuk është larg nesh. Ai është aty ku dikush vuan, ndihet vetëm, ku një familje lufton për të jetuar, ku një nënë lutet për fëmijën e saj, një i moshuar pret një vizitë, ku një njeri ka humbur shpresën. Këtë më ka mësuar shërbimi. Të mos e kërkoj Krishtin vetëm në kishë, por ta njoh edhe në fytyrën e vëllait tim.
Të varfrit më kanë mësuar të shoh ndryshe
Një nga dhuratat më të mëdha të këtij viti ka qenë takimi me njerëzit e varfër. Në fillim mund të mendosh se ti shkon për t’u dhënë diçka atyre. Por shpesh ndodh e kundërta. Ti mendon se po u jep atyre, ndërsa në të vërtetë janë ata që të japin ty. Të japin një buzëqeshje, falënderim, lutje, histori e një qese domate. Të mësojnë të jesh mirënjohës për gjërat që i konsideron të zakonshme. Kur hyn në shtëpinë e një familjeje që ka pak, por të pret me zemër të madhe, kupton se pasuria e vërtetë nuk matet gjithmonë me atë që kemi. Ndonjëherë njeriu që ka më pak, ka më shumë për të dhënë. Dhe kjo më ka prekur thellë. Kam kuptuar se një prift nuk duhet të ketë frikë të shkojë atje ku ka varfëri. Përkundrazi, aty duhet të jetë edhe më afër. Sepse aty na pret Krishti. Një tjetër përvojë që ka shënuar shumë thellë vitin tim të parë si meshtar ka qenë vizita ime, një herë në muaj, në burg. Kur hyn pas atyre dyerve, gjithçka ndryshon. Aty ku ka mure, dyer të mbyllura dhe kufizime, takon njerëz që vazhdojnë të kenë nevojë për dashuri, falje, shpresë dhe Zotin. Shpesh shoqëria i sheh njerëzit në burg vetëm përmes gabimit që kanë bërë. Por Krishti na mëson t’i shohim edhe përtej gabimit. Të shohim njeriun, plagën, vuajtjen, pendesën, dëshirën për rifillim. Në këto vizita kam kuptuar edhe më shumë se çfarë do të thotë mëshira e Zotit. Sepse përpara Zotit askush nuk është vetëm e kaluara e tij. Gjithmonë ekziston mundësia e një fillimi të ri. Prandaj, sa herë dal nga burgu, dal me një pyetje në zemër: Nëse Krishti nuk dorëzohet kurrë nga njeriu, kush jam unë që të dorëzohem?
Eukaristia: zemra e jetës së meshtarit
Por në qendër të gjithë kësaj rruge është një vend ku kthehem gjithmonë: altari. Pas gjithë udhëtimeve, vizitave, takimeve dhe shërbimeve, meshtari duhet të kthehet gjithmonë te Krishti. Sepse nga Eukaristia marrim forcën për të shkuar te njerëzit. Çdo herë që kremtoj Meshën, e kuptoj se nuk jam unë në qendër. Është Krishti, ai jepet, falet, thyhet për ne, e na ushqen. Dhe meshtari është thirrur që këtë Krisht ta çojë tek njerëzit. Prandaj meshtari nuk mund të jetojë pa Eukaristinë, ashtu siç nuk mund të jetojë pa lutjen. Dhe bashkë me Eukaristinë është edhe Rrëfimi, sakramenti ku njeriu përjeton mëshirën. Në rrëfim kam parë se sa e etur është zemra e njeriut për të dëgjuar fjalët: “Zoti të fal.” Ndonjëherë një njeri nuk ka nevojë për një predikim të gjatë. Ka nevojë të dëgjojë se Zoti ende e do. Ka nevojë të kuptojë se dera e mëshirës nuk është mbyllur. Dhe sa privilegj i madh është për një prift të jetë dëshmitar i këtij takimi mes mëkatarit dhe mëshirës së Zotit.
Për meshtarët: mos kini frikë të shkoni në mision
Në këtë përvjetor timin, dua t’u drejtoj një fjalë të veçantë edhe vëllezërve të mi meshtarë. Nëse ndonjë meshtar ndien në zemrën e tij dëshirën për të bërë një përvojë misionare, dua t’i them: Mos kini frikë. Ejani në Jug të njihni njerëzit, fshatrat familjet të varfërit të moshuarit e të dëgjoni historitë e njerëzve. Ejani të ndani me ta Eukaristinë dhe lutjen. Ndoshta mendoni se do të vini për t’u dhënë diçka. Por do të zbuloni se do të merrni shumë më tepër. Do të merrni një tjetër mënyrë për ta parë meshtarinë. Do të kuptoni se misioni nuk është vetëm të shkosh larg. Misioni është të dalësh nga vetja dhe të shkosh atje ku të dërgon Krishti. Dhe ndonjëherë ai vend është shumë më afër nga sa mendojmë. Mjafton të kemi zemrën e hapur.
Maria: Nëna që na mëson të themi “Po”
Në këtë rrugëtim nuk mund të mos e përmend Virgjërën Mari. Ajo është gruaja e “Po”-së. “Po”-ja e saj ndryshoi historinë. Dhe çdo meshtar ka shumë nevojë të mësojë prej saj. Na mëson të qëndrojmë pranë kryqit. Dua të mos harroj kurrë se nuk jam pronar i meshtarisë sime. Jam shërbëtor. Një ditë Krishti më thirri e unë thashë “po”.
Në këtë ditë dua të falënderoj Zotin për çdo njeri që ka kaluar në jetën time gjatë këtij viti. Për çdo njeri që, ndoshta pa e ditur, ka qenë pjesë e formimit tim si meshtar. Falënderoj Zotin për 500 kilometrat që bëj çdo javë nga e mërkura në të djelë. Sot kuptoj se nuk jam vetëm unë që kam shërbyer gjatë këtij viti. Edhe ju më keni shërbyer mua, duke më mësuar çfarë do të thotë të jem prift. Dhe për këtë do t’ju jem gjithmonë mirënjohës. “Nuk kam bërë gjithçka në mënyrë të përsosur, por përpiqem të të dua, të të shërbej dhe të të sjell te njerëzit.” Dhe nëse jeta ime si meshtar ka mundur të ndezë qoftë edhe një zemër, të ngushëllojë qoftë edhe një njeri, të kthejë qoftë edhe një shpirt drejt Teje, atëherë them: Ia ka vlejtur. Sepse jeta ime nuk është më vetëm e imja, është e Krishtit dhe e njerëzve që Ai më ka besuar. Amen.
Dom Gaitano Lleshaj

