Koha e Zakonshme

Nga Administratori

Atë Flavio Cavallini emërohet Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut

1 minutë lexim

Foto: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (kish.al)

Më 25 prill 2026, ditën e Shën Markut, Papa Leoni XIV emëroi Atë Flavio Cavallinin, OFM, Administrator Apostolik të Administraturës së Shqipërisë së Jugut.

Atë Flavio Cavallini, OFM, lindi në Verona, Itali, më 12 gusht 1957. Veshi zhgunin françeskan më 09 shtator 1977. Kushtet e para rregulltare i bëri më 17 shtator 1978, kurse ato të përjetshmet më 11 tetor 1981. Pas studimeve filozofike dhe teologjike u shugurua meshtar më 16 qershor 1984. Pas dy vitesh vazhdoi studimet pranë Studium Biblicum Franciscanum në Jerusalem, duke marrë Laurea magjistralis në Teologjinë Biblike në 1988-ën.

I dërguar në Shqipëri në 1993-shin, udhëhoqi për tre mandate Provincën Françeskane Shqiptare. Prej vitit 1994 ka dhënë kurse mbi Shkrimin e Shenjtë në Institutin Filozofik-Teologjik të Shkodrës.

U zgjodh provinciali i parë i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” pas komunizmit në vitin 1995. Në këtë detyrë shërbeu deri në vitin 2004. Më pas ishte guardian dhe famullitar në Kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë.

Nga viti 2015 jeton në Kuvendin Françeskan të Tiranës dhe i përkushtohet formimit biblik të laikëve dhe katekistëve. Përveç disa komentarëve biblikë, ka publikuar artikuj dhe studime mbi arkeologjinë e krishterë shqiptare dhe praninë e françeskanëve në Shqipëri. Prej fillimit të marsit të po atij viti shërben si famullitar pranë Kishës së Shën Antonit në Tiranë.

Më datën 25 prill 2026, ditën e Shën Markut, u emërua administrator apostolik i Administraturës së Jugut të Shqipërisë

Burimi: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (kish.al).

Lajme të tjera

Të gjitha lajmet